Ndikimi i mbetjeve digjitale

Në ditët e sotme, gjërat po dematerializohen veç e më shumë. Duke filluar nga fotografitë tona, filmat e muzika, si dhe dokumentet tona nga letra. Por, edhe kur dematerializohen gjërat si objekte fizike, ndikimi i tyre mbetet përsëri i pranishëm në rreth. Sepse edhe nëse nuk duhet të ruhet ndonjë plastikë, metal ose letër në formë materiale, përsëri e dhëna digjitale diku duhet të ruhet. Po nëse nuk u ruajtën në pajisjet tona elektronike si kompjuteri, tableti ose telefoni, të dhënat tona duhet të ruhen në “cloud”. Kjo “re”, pra “cloud”, i referohet memories tek e cila kemi qasje përmes internetit (drive, email, fotografi e video të rrjeteve tona sociale). Ndonëse për ne kjo memorie është e padukshme, ajo ekziston diku në realitet. Në fakt, të gjitha të dhënat që ruhen në “cloud” (si fotografi, video, inçizime audio, mesazhe, dokumente, etj.) janë të ngarkuara nëpër serverë diku në botë, të cilët vërtetë ekzistojnë. Këta serverë janë objekte të mëdha (qendra të të dhënave – Data qendra) të cilat permbajnë dhoma të mbushura me kompjuterë serverë, të cilët vazhdimisht mbahen të ndezur. Në këta superkompjuterë ndodhen të gjitha të dhënat. Por, duhet sasi jashtëzakonisht e madhe e energjisë për t’u operuar me to vazhdimisht: energji elektrike për operim dhe sisteme të forta për ftohje, duke qenë se këto janë qarqe elektrike të cilat gjenerojnë shumë nxehtësi. E gjitha kjo nënkupton se çdo e dhënë që ne e ruajmë në internet, në fakt shfrytëzon energji për të patur qasje deri tek ajo, kudo dhe kurdo. Mes atyre të dhënave, disa sigurisht që janë të panevojshme (si për shembull disa email që veçmë i kemi lexuar) dhe janë të ruajtura pa nevoje, duke bërë harxhim të kotë të energjisë. Kjo quhet mbetje digjitale.

Shumë nga ne zgjedhim mjedise digjitale për t’i ruajtur informacionet dhe të dhënat tona. Ndërkaq, barra e këtij shërbimi është e dukshme dhe paraqet një burim të konsiderueshëm të gazrave serrë. Prandaj, me qëllim për ta luftuar ndryshimin klimatik, Dita e Spastrimit Digjital u shënua në vitin 2019 si iniciativë për të promovuar përdorimin e internetit në mënyrë më të përshtatshme për ndikimet ndaj mjedisit jetësor, si dhe për të ngritur vetëdijen rreth mbetjeve digjitale. Me këtë synim,  Dita e Spastrimit Digjital u vendos më 16 mars. Kjo ngjarje e përvitshme u krijua nga Kévin Guérin dhe një numër shoqatash, përfshirë “Institut du Numérique Responsable”, që është një fondacion korporatë françeze me pikësynimin të promovojë përdorimin etik të teknologjisë digjitale. E përfshirë është edhe shoqata Let’s Do It World, e akredituar nga Programi i Kombeve të Bashkuara, e cila punon për mbrojtjen e ambientit. Në vazhdim të aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe ngjarjeve të ndryshme të organizuara nëpër botë, kjo ditë nxit gjithkë të bëjnë spastrimin e memorieve personale të tyre dhe të regjistrohen në uebfaqe duke shkruar saktë madhësinë e të dhënave të cilat i kanë larguar nga pajisjet e tyre. Në fund të ditës, me shumën e gjithë atyre numrave, do të përcaktohet se sa shumë të dhëna janë fshirë falë kësaj nisme.

Për ta kuptuar edhe më mirë ndikimin e mbetjeve digjitale dhe përdorimin e internetit në nivel të ngrohjes globale, ja disa fakte: 

  • Çdo vit, interneti dhe sistemet e lidhura me të, prodhojnë më shumë se 900 milionë tonë CO2.
  • Sipas disa përllogaritjeve, përdorimi i internetit paraqet 3.7% të emetimeve globale, ekuivalente me të gjithë trafikun ajror të botës. Madje kjo shifër pritet të dyfishohet deri në vitin 2025.
  • Transmetimi (video dhe audio) paraqet 60% të rjedhës së të dhënave në internet. 1 orë transmetim video është e barabartë me konsumin që bën një frigorifer për 1 vit.
  • Në vitin 2022, mesatarisht 306 miliardë email pritet të dërgohen në mbarë botën çdo ditë. Dërgimi i 20 emaileve lëshon po aq CO2 sa ngasja e një makine për 100 km.
  • Një email i ruajtur nënkupton 10 gram CO2 të gjeneruar në vit.
  • Një gigabajt i të dhënave të ruajtura prodhon 0,24 gram CO2 në ditë.
  • Data qendrat janë përgjegjëse për 2% të emetimeve të gazeve serrë.
  • Një orë çdo ditë e kaluar në rrjetet sociale gjeneron 1250 kg CO2 në vit.
  • Ndërmjet viteve 2013 dhe 2017, konsumi i energjisë në sektorin digjital u rrit për 50%.

Siç e kemi parë, ndikimi i përdorimit të internetit mbi planetin tonë është serioz. Për ta zvogëluar ndikimin personal, mund t’i merrni disa nga shprehitë, si:

Fshini emailet e panevojshme që veçmë janë të lexuara.

Aktivizoni fshirjen automatike të emaileve spam.

Për aq sa është e mundur, përdorni memories e pajisjeve tuaja elektronike në vend të internetit.

Çaktivizoni luarjen automatike të videove në rrjetet sociale.

Pastroni rregullisht hapësirat e ruajtjes në internet dhe fshini çdo permbajtjet e panevojshme.

Versionet në letër të dokumenteve shpesh janë më pak ndotëse sesa versionet digjitale (me kusht që ato të riciklohen).

Pra, nëse doni të kyçeni për të kontribuar në luftën kundër ngrohjes globare, ju ftoj të spastroni memoriet tuaja dhe më pas të regjistroheni në faqen e internetit “Dita e Spastrimit Digjital” (“digitalcleanupday.org”) për të zbuluar se sa të dhëna keni kanë arritur të pastroni!

Augustin Magaud

Përktheu: Faton Qerimi

Related posts