Maqedonia gjatë historisë së LO: 2+11

Në mënyre  modeste dhe pa pritshmëri të mëdha Maqedonia sportive po përgatitet për Lojërat e ardhshme Olimpike Verore që do të mbahen në Paris. Rrugës për në kryeqytetin e Francës, tani për tani është duke u përgatitur vetëm atleti Dario Ivanovski, i cili do të vrapojë në maratonë më 10 gusht. Ai konfirmoi vizën e tij olimpike duke fituar garën e fundit “Shkupi vrapon” dhe konfirmoi formën e tij të mirë. Përveç tij, edhe disa sportistë të tjerë të sporteve individuale shpresojnë në një uajlld-kartë (ftesë) nga mikpritësi për të justifikuar moton olimpike: “Me rëndësi pjesëmarrja”.

Por në të kaluarën nuk ka qenë gjithmonë ashtu, kështu që Maqedonia, e pavarur apo si pjesë e shtetit të mëparshëm, mund të mburret se ka fituar gjithsej 13 medalje olimpike. Medalja e fundit është medalja e argjendtë e Dejan Georgievskit në taekwondo në Olimpiadën e fundit në Tokio. Interesant është fakti se Georgievski nuk arriti të kualifikohet në lojërat e Parisit, kështu që nuk do të ketë mundësi të mbrojë medaljen e tij olimpike.

Më parë, mundësit Magomed Ibragimov në Lojërat Olimpike me fanellën e Maqedonisë, në kategorinë e stilit të lirë deri në 85 kilogramë, në Lojërat Olimpike në Sidnej, që u zhvilluan 24 vjet më parë, fitoi medalje (bronzë). Ai është maqedonas i natyralizuar, sepse ka lindur në Dagestan, por emri i tij është shkruar me shkronja të arta në historinë e sportit maqedonas.

11 medaljet e mbetura i fituan sportistët maqedonas të cilët garuan me fanellën e ish-Jugosllavisë. Portieri i futbollit Blagoja Vidinić është pronar i medaljes se argjendtë (1956, Melburn) dhe medaljes se artë (1960, Romë). Në Lojërat Olimpike në Montreal (1976), basketbollisti Blagoja Georgievski – Bushtur fitoi medaljen e argjendtë, dhe boksieri Ace Rusevski – bronzë. Katër vjet më vonë, mundësi Shaban Sejdiu përfundoi i treti në stilin e lirë. Në vitin 1984 në Los Anxhelos, mundësi Shaban Trstena doli kampion në kategorinë super të lehtë, dhe fitoi bronzë në stilin e lirë deri në 67 kilogramë, boksieri Rexhep Rexhepovski fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë super të lehtë, ndërsa Milko Gjurovski me kolegët e tij të futbollit arriti në vendin e tretë. Stojna Vangelovska (argjendi, basketboll) dhe Shaban Trstena (argjendi, stil i lirë deri në 52 kg) fituan medaljet e fundit në fanellën e RSFJ-së në Lojërat Olimpike në Seul në vitin 1988.

Lojërat Olimpike në Paris fillojnë më 26 korrik dhe do të zgjasin deri më 1 gusht. Kjo është hera e tretë që Lojërat Olimpike Verore mbahen në metropolin francez (1900 dhe 1924). Përveç Parisit, vetëm Londra ka pritur tri herë Lojërat Olimpike Verore: 1908, 1942 dhe 2012.

Përveç Parisit dhe rrethinave të tij, gara të caktuara sportive do të zhvillohen edhe në vende të tjera. Ndeshjet e hendbollit do të zhvillohen në Lille, lundrimi në Marsejë, surfimi në ishullin Tahiti në Polinezinë Franceze, ndërsa ndeshjet e futbollit do të zhvillohen në të gjithë Francën. Në Olimpiadën e Parisit do të zhvillohen për herë të parë garat e “break-dance”.

Goran Adamovski
Përktheu: Fjolla Lecaj

Burimet:
Олимписки Комитет на С. Македонија: Потврда на Олимпиското учество на ОИ ПАРИЗ 2024 – НОВА ПОБЕДА НА ДАРИО ИВАНОВСКИ
Кајгана: Кои македонски олимпијци досега имаат освоено медали?
Википедија: Летни олимписки игри 2024

Related posts