Lojërat Olimpike Verore 2024 sapo kanë përfunduar dhe ishin jo pak sensacionale (dhe dramatike). Një nga arsyet pse ishin kaq të rëndësishme është se kishte një përfaqësim 50:50 të burrave dhe grave që garonin, duke i bërë kështu Lojërat e para Olimpike që arritën barazinë e plotë gjinore.
Gratë garuan për herë të parë në Lojërat Olimpike në Paris në vitin 1900. Në lojërat e vitit 1900, gratë përbënin 2,2% të të gjithë konkurrenteve dhe ato mund të konkurronin vetëm në tenis dhe golf si sporte individuale, si dhe lundrim dhe kroket si sport në grup. Në këtë vit Charlotte Cooper u bë kampionja e parë femër individuale duke fituar garën e tenisit tek femrat. Më tej, u shtuan gjithnjë e më shumë sporte për gratë, si gjuajtja me hark (e cila u hoq dhe u shtua në mënyrë të vazhdueshme), patinazhi artistik, noti dhe zhytja. Në Stokholm në vitin 1912, kishte konkurse arti që ishin të hapura për gratë, por nuk ka të dhëna të detajuara për pjesëmarrjen e tyre në to. Kur u shtua atletika në vitin 1928, grave ju ndaluan garat 800 metra e më gjatë deri në vitin 1960, pasi ato konsideroheshin të papërshtatshme për to.
Me kalimin e kohës, gratë ishin të prezente për të gjitha sportet në Lojërat Olimpike. Por, disa ngjarje olimpike mbetën të mbyllura për femrat dhe në rastet kur të dyja gjinitë konkurronin, meshkujt shpesh përballeshin me versione më të ashpra të të njëjtit sport. Për shembull, burrat konkurrojnë në 110 metra me pengesa, ndërsa gratë konkurrojnë në 100 metra me pengesa.
Megjithatë, edhe pas shumë zhvillimesh, gratë vazhduan të përballen me trajtim të pabarabartë. Një shembull i mprehtë ndodhi në vitin 2012 kur ekipi kombëtar i futbollit i femrave të Japonisë, që sapo kishte fituar Kupën e Botës FIFA 2011 për femra, u detyrua të udhëtonte në Lojërat Olimpike të Londrës në klasën ekonomike, ndërsa ekipi i meshkujve udhëtoi në klasën e biznesit. Për më tepër, faktorët kulturorë dhe fetarë kanë ndikuar gjithashtu në pjesëmarrjen e grave në Lojërat Olimpike. Në disa vende, veçanërisht ato me tradita të forta fetare, normat shoqërore i dekurajojnë apo edhe i pengojnë gratë të marrin pjesë në sport. Kjo është veçanërisht e vërtetë në vendet me një popullsi të konsiderueshme myslimane, ku vlerat konservatore shpesh kufizojnë mundësitë për gratë në atletikë. Megjithatë, përpjekjet globale për të promovuar barazinë gjinore kanë inkurajuar më shumë gra me prejardhje të ndryshme për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Vizibiliteti në rritje i sportisteve femra në skenën botërore ka frymëzuar më shumë vajza që të ndjekin sportin.
Kjo na sjell në Lojërat Olimpike të Parisit këtë vit. Lojërat Olimpike të Parisit 2024 shënuan një tjetër hap të rëndësishëm përpara në ndjekjen e barazisë gjinore në sport. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) siguroi që Lojërat të shfaqnin një numër të barabartë atletësh meshkuj dhe femra për herë të parë në historinë olimpike, duke e bërë barazinë gjinore një aspekt thelbësor të ngjarjes. Përveç këtij momenti historik, Lojërat Olimpike të 2024 zgjeruan numrin e ngjarjeve me gjini të përzier, duke theksuar më tej rëndësinë e barazisë dhe bashkëpunimit në sport. Paris 2024 prezantoi gjithashtu disa iniciativa që synojnë fuqizimin e grave, të tilla si programe mentorimi për atletet dhe trajneret femra, dhe rritjen e shikueshmërisë për sportet e grave në mbulimin mediatik. Këto përpjekje pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të IOC dhe komunitetit Olimpik për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku të gjithë atletët mund të garojnë në kushte të barabarta, duke vendosur një standard të ri për Olimpiadën e ardhshme.
Historia e grave në Lojërat Olimpike është një histori e qëndrueshmërisë, përparimit dhe luftës së qëndrueshme për barazi. Ndërsa lojrat olimpike vazhdojnë të zhvillohen, fryma e Olimpiadës – një frymë uniteti dhe madhështie – do të udhëheqë rrugën drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe fuqizuese për gratë në sport.
Dela Dodevska


Leave a comment