Fejton. Në rrjetën e peshkatarëve romancier 

Nëse zhytesh së tepërmi në zezonën e telasheve të jetës së përditshme rrezikon të mbytesh, ndaj të leverdis më mirë të kapesh pas rrjetave të peshkatarëve romancier. Titujt fantazëm ngjajn me atë krimbin e majmur që verbërisht të josh t’i ngulësh dhëmbët në grep me sa forc të mundesh, si të mos ekzistonte dita nesër. Thurur me tyrli emocionesh ëndrrimtare, në rrjetën shumëngjyrëshe, s’ka vend për logjikën pesimiste gri. 

Jargavitet e thartuara gojë qoftë edhe për një grimë nga sheqeri lumturor, që premtojnë të shesin autorët dramarik. Koleksione ndjenjash paketuar në blloqe letre, lidhur e kapur fort me përfytyrime magjike, e kthejnë peshkun në gjuetar rrjetash e grepash. Oceani i nxirë pus s’konkuron dot me romancierët finok, kurrfarë çudie s’ofron dot ai. 

Për të braktisur rutinën, të vetmen pluskuese të ujrave të ndenjur, paguhet me gjak, jo me flori. Shpëtimi nga kuvendimi tragjik me dekompozimin në një tryezë trekëndore në fund të oceanit të bën ta harrosh servirjen si vakt për të tretë. Çdo çmim, sado i pangopur e grabitqar, për të vrarë monotoninë duket fare pak. 

Të fshehur nën zgavra rrathësh të zinj, të rëndomtët sy janë ngopur me jetesën monokrome bardhezi. Sy të shuar si këta i dorëzohen pa kushte dehjes në elikzirin iluziv, qoftë toksinë, helm a acid. I varësuari do lutet të pijë, sikur vetëm një gllënk mashtrim, që lipset të zbus racionalitetin vampir. 

Të droguar nga sindromi i një dashurie stokolmjane kundrejt fjakëve të pjekjes, peshqit këmbejnë fantazinë me realen. Siç kërcejnë e përhapen vend e pa vend stërkalat xixëlluese të vajit të tej nxehur mbi tigan, ashtu hidhet e përdridhet zemra e presë nën efektin adrenal. Ndjesitë delirante veç në fatalitet mund të bujtin strehim. 

Të dëshiruar pas një përralle, dashuronjës të dashurisë, të mjerët bovarianë, s’dinë të bëjnë llogari. E ardhmja ndalon së frymuari kur utopia e një bote ideale merr fronin e mbretërisë së ndërgjegjes. Kapur fort pas një romani tragjiko-romantik, përfundimi në pjatën e ndonjë barbari duket shaka e trilltë. 

Kredhja në rrjetën fiksionale, në vend t’i shpëtonte nga terri i pafundëm i halleve i shpuri drejt e në aparatin tretës, thellë në stomakun e jetës kanibale. Krah për krah me lëngjet gastrike të zhbërjes, shkrihet kock e shpirt i molepsur ndër andrralla. Naiviteti i arratisjes në vend t’ua shuante mundimet i denatyroi në gaz, jashtëqitje dhe urinë.  

Jona Cenameri

Related posts