Nën Syrin e Pamëshirshëm të Vëllait të Madh: Zbërthimi i Një Realiteti Distopik 

Recension mbi romanin 1984 të George Orwell

1984-tra nuk është thjesht një klasik apo një libër “i mirë”, leximin e të cilit ta propagandon gjithë pathos mësuesja e letërsisë në gjimnaz. Do ishim duke ja zbehur vlerat dhe duke e veshur me një farë mediokriteti cinik nëse do ta trajtonim si të tillë.  

“Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është forcë”, është refreni që e shoqëron lexuesin gjatë gjithë veprës. Shprehje kjo që në pamje të parë të duket produkt i ndonjë mendje delirante, por në fakt kërkon t’i komunikoj diçka me rëndësi audiencës.

Leximi i këtij fiksion distopik, aspak komercial a limonatë, të transformon. Si 30 ditët e ciklit të jetës së një fluture, 300 faqet e 1984-trës të “metamorfojnë” e “iluminojnë” thellësisht psikikën, pa e vënë re e në një mënyrë atipike.

“Nëse doni një imazh të së ardhmes, përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt, …përjetësisht”, janë fjalët me të cilat e perifrazon të ardhmen O’Brajani njëri nga personazhet e veprës.

Dikur përfaqësonte një libër ndjellakeq e me një vello të errët lebetie, pasi u botua në 1949-tën dhe fliste për vitin 1984-tër. Publiku ishte i legjitimuar ta perceptonte si një farë parashikimi prej nostradamusi, në botën e atëherëshme të “rrezikuar” nga kthetrat e komunizmit. Autori iluston një të ardhme të errët, apokaliptike e aspak premtuese përgjatë rrëfimit.

Globi në vitin oruellian “1984-tër” ndahet në tre shtete masive totalitare të cilat janë Oqeania, Azia Lindore dhe Euroazia. Këto shtete janë në luftra dhe aleanca të pambarimta me njëri tjetrin, që duket se nuk i çojnë askund e nuk sjellin kurrfarë dobie a përfitimi. 

Tek idetë e filozofit italian të shekullit të XIX-të Xhovani Xhentile mund ta shquajmë arsyen e fshehtë të këtyre luftrave në pamje të parë “idiotike”. Ai është shprehur se duhet një luftë për ta konsoliduar përkatësinë e shtetit. Nuk ka rëndësi mbyllet me fitore a disfatë, madje do të qe më mirë të përfundonte me humbje. Me ndjenjën e poshtërimit nga të huajt dhe turpit të përbashkët do të forcohej uniteti kombëtar. 

Ky nocion është pikërisht edhe motivi i logjikshëm që hedh shtetet fiksionale, Oqeaninë, Euroazinë dhe Azinë Lindore në luftime të njëpasnjëshme. Duhet një armik, dikush a diçka të cilën ta shinjestrojmë e të bëhemi tokë e njësh në kundërvënie. Nëse nuk ekziston atëherë le ta shpikim, është fryma që i mban gjallë dhe solide këto shtete totalitare.

Narracioni në këtë tekst bëhet me fare pak personazhe. Uinstoni, Xhulia dhe O’Brajani janë tre personazhet qendrore, që luajnë pothuajse të gjithë dramën. Në ndihmë të rrëfimit na vijnë edhe disa personazhe dytësore me role në miniaturë të cilët ndihmojnë në vendosjen e tonusit të zhvillimit të ngjarjes dhe konfliktit.

Oruelli në këtë roman, ka pikturuar ndonëse me një paletë të varfër e me pak ngjyra gjithë natyrën e njeriut në bërthamë të njerëzimit. Rresht pas rreshti lexuesi zbulon pak nga pak veten, dhe “detyrohet” të mendojë, madje edhe të abstragoj rreth ekzistencës.

Personazhi kryesor i kësaj vepre është Uinstoni, një burrë fare i zakontë, 39-të vjeçar, banues në qendën e Oqeanisë, në Londër. Ai është një anëtar dytësor partie, punonjës i aparatit burokratik të Ministrisë së të Vërtetës, por fshehtazi është kundër regjimit. Detyra e tij është të “rishkruaj historinë” sipas interesave të partisë me në krye liderin-shtet “Big Brother-in”. 

“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen, kush kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën”, arsyeton bindjeplot O’Brajani, një funksionar i lartë partie gjatë një bisede me Uistonin. Ky pohim të rikthen edhe njëherë në mendje thënien e famshme se historinë e shkruajnë fituesit, për rrjedhojë ajo relativizohet dhe bëhet e pabesueshme.

Modifikimi i së shkuarës duke i bërë qytetarët të mbajn mend vetëm të shkuarën e rikrijuar nga strukturat administrative të qeverisë, bëhet motori i harresës dhe i mirëfunksionimit të këtij shteti diktatorial. Qytetarët s’mund të kujtojnë a të besojnë në ekzistencën e një të shkuare për të cilën s’ka asnjë gjurmë se ka ekzistuar ndonjëherë.

Perceptimi i Shën Agustinit se kur harron pak edhe mund të kujtohesh se ke harruar por kur harron tërësisht, të duket se nuk ke harruar asgjë është kryekëput rezultantja e këtij mekanizni mashtrues harres-kujtese që përdor regjimi në libër.

Në roman tregohet qartë sesi çdo qytetar i Oqeanisë së 1984-trës (përveç proletarëve që gjykoheshin si të pavlerë) është gjatë gjithë kohës në përgjim audioviziv përmes monitorëve (tip televizorësh të vendosur kudo). A nuk jemi edhe sot e kësaj dite pjesë e një matriksi teknologjik që tenton çdo ditë e më shumë t’i përngjasojë përgjim-regjimit të “Big Brother-it”?!…

“Reality Show” me famë botërore, ku disa individ mbyllen në një shtëpi të monitoruar 24-tër orë në 24-tër me kamera, është ideuar pikërisht nga ky roman. Ky realiti në ditët e sotme njihet me emrin e vëzhguesit dhe diktatorit suprem të Oqeanisë “Big Brother”. Vojerizmi në rritje i njeriut të shekullit të XXI-të e ka bërë këtë shfaqe televizive shumë të ndjekur dhe të preferuar nga audienca masive.

Një vepër si kjo përbën një traktat humanizmi që e zbërthen individin deri në nënvetdije. Jo thjesht një pasqyrë e diktaturës totalitare, por shumë më tepër. Delikt më vete do të ishte ta emëroje si thjesht fiksion, apo letërsi. 

Personazhi ynë s’mund të quhet “hero”, siç etiketohen rëndom personazhet kryesore. Te ai më shumë se heroi, identifikohet qartazi njeriu, ashtu amorf, i paqartë e i përhumbur siç është në brendësinë e vet secili prej nesh. Deri në faqet e fundit të librit ai zhvishet lakuriq, duke mbetur vetëm me lëkurën e rrudhur dhe të nxirë të mëkatit, të pamoralit dhe instiktit kafshëror. Shëmtia e njeriut zbërthehet deri në kockë, pas rrjepjes me pincat e dhunës së çdo grimce humaniteti. 

“Do të takohemi në një vend pa errësirë”, ishin fjalët që i patën thënë në një ëndërr Uinstonit. Ëndërr kjo që mbeti e tillë përjetësisht, e su bë kurrë realitet. 

Uinstoni jeton në një monotoni të rëndomtë, punon për një kauz që se mbështet, rebelohet ndaj pushtetit por ndjehet i pafuqishëm për të bërë asgjë. Ai dashurohet me Xhulian si të ishte djalosh, tradhëtohet nga O’Brajani, dhe në fund i kthehet gotës së ndyrë me xhin dhe veseve, pa kurrfarë shprese për të ardhmen që e sheh me dy sy të fikur në pritje të fundit. A mund të shohësh jehona të jetës në këtë paraqitje të pamëshirshme të realitetit?

Xhulia, dashnorja e Uinstonit gjatë një momenti luçiditeti pas orgazmik, i komunikon atij si e sheh ajo strukturën shtypëse nën të cilën po jetojnë. “Kur bëjnë dashuri njerëzit harxhojnë energji, pas aktit lumturohen dhe nuk duan t’ia dinë për asgjë. Partia nuk e duron dot këtë ndjenjë. Ajo do që njeriu të jetë i mbushur me energji gjithë kohës. Tërë këto parakalime poshtë e lart, brohoritjet dhe valëvitjet e flamujve janë seks i pa konsumuar. Në qoftë se njeriu është i lumtur brenda vetes pse duhet të eksitohet për Vellain e Madh, Planet Tre-Vjeçare, Dy Minutat e Urreitjes apo gjithë kalbëzimin e saj të mallkuar?”

Argumentat kundër kësaj vepre qendrojnë në faktin se ajo përhap, përpilon, detajon dhe shtjellon ideologjinë e një totalitarizmi të sëmurë dhe absurd. Bota ka përjetuar pasojat brutale të regjimeve ekstremiste të djathta si nazizmi në Gjermani dhe fashizmi në Itali, ashtu si edhe të regjimeve ekstremiste të majta, nga bolshevizmi në Bashkimin Sovjetik deri te format e tjera të socializmit autoritar në Europën Lindore, përfshirë shtetet ish-jugosllave (si Maqedonia e Veriut) dhe Shqipërinë, dhe tani synon të ecë përpara duke mësuar nga ajo trashëgimi e dhimbshme, jo duke e përjetuar sërish.

Ata që e anatemojnë veprën i tremben dëshirës për përsëritje të historisë, apo “adhurimit” për këtë doktrinë të errët që mund t’i ngjallet ndonjë lexuesi. Njohja e historisë apo edhe përballja me ideologji të mbrapshta dhe mirë studimi i tyre në fakt nuk jua shton rrezikun e përhapjes, por edukon brezin drejt mbrojtjes dhe mbajtjes sa më larg të tyre.

“Të vdesësh duke i urryer, kjo ishte liri”, ishte ajo që kuptoi Uinstoni nga përballja me represionin dhe shtypjen e diktatoriatit. Torturat drakoniane të “Big Brother-it” nuk synonin as mishin a as kockat e tij, por mendjen. Vdekja mund “t’i dhurohej” vetëm pasi dualiteti shpirt-mendje t’i ishte asimiluar tërësisht e dorëzuar pa kushte ndaj metodologjisë së partisë. Një individ në këtë aparat shtrëngues s’mund të jetë i lirë, s’duhet të ndiejë e aq më pak të mendojë. 

Gjuha e re është një element tjetër sforcimi ekstremist, që Oruelli trajton në vepër. Ajo do të krijohej e tillë që të ishte aq e varfër sa mendimi kundër klasës sunduese apo siç etiketohet nga idhtarët e “Big Brother-it” “krimendimi” të ishte plotësisht i pamundur.

***

“Libri e mahniste, ose më saktë: i jepte siguri. Në fakt, ai nuk i thoshte ndonjë gjë të re, por kjo qe pjesë e joshjes. Libri thoshte ato çfarë mund t’i kishte thënë edhe ai, në qoftë se do të kishte qenë në gjendje t’i sistemonte mendimet e veta të hapërdara. Libri ishte prodhimi i një mendjeje të ngjashme me të, por shumë më të fuqishme, më sistematike dhe më pak frikacake. Librat më të mirë, mendoi, janë librat që të thonë atë që e ke ditur”, konkludoi Uinstoni gjatë leximit të librit të Goldshteinit, armikut kryesor të “Big Brother-it”. Personazhi Uinstonit ndërtuar nga Oruelli aspak heroik por mendimtar, racional, modest e thjeshtarak si pakkush, s’mund të kishte gjykuar më kthjellët se kaq. Deduksioni që ai bën me veten e tij rreth librit të armikut numër një të partis-shtet ka një përshtatshmëri si çelësi me bravën me ndjesinë që lexuesi i vet romanit 1984-tër provon. 

Në fund, ndërsa ‘1984-tra’ zbërthen të vërtetat e ashpra të kontrollit total dhe nënshtrimit, pyet veten: a mund të imagjinosh një të ardhme ku liria mbetet e pathyeshme përballë çdo sfide?

Jona Cenameri

Related posts