U bë kohë pa shkruar.
Qëllimisht kam refuzuar
Çdo valë frymëzimi.
Kam heshtur, u jam fshehur
Fletëve, stilolapsave,
Tastierave dhe gjithçkaje
Ku mund të shkruhet.
S’kam dashur të zhytem
Në ndjenja që s’dua t’i dua.
Unë jam shumë e vogël
Për ta përballuar këtë dallgë,
Veshur në pikla kripe,
Që përpin Tiranën
E jo më mua.
Nuk ia pranoja dot vetes
Se dallga ekzistonte, dhe unë
Isha një picirruke para saj.
Doja ta harroja dallgën,
Dhe brishtësinë e kockave të mia.
Por jam këtu, duke shkruar…
Nuk ia dola.
Jam një dështake kronike,
E hutuar para tastierës së zezë
Në një tentativë të dështuar
Për të injoruar bluzën e qullur,
Gjumin pas agimit
Dhe kokën e rëndë, 100-kilogramëshe:
A thua kaq shumë peshojnë mendimet?
Kurrkush veç fjalës nuk ia doli
T’më shoqëronte kundër kësaj vale.
Qyteti kundërmon nga braktisja,
Ndjenjat janë bërë të velshme, bajate.
Në këtë vapë verore
Vetëm era e rëndë e djersës mbetet,
Bashkë me zhukamën e gjinkallave.
Njerëzit janë bërë si shkretëtira.
Thatësira u ka mbuluar fytyrën me të sajën.
Qetësia fantazmagorike e zhegut u lexohet në sy.
Ngjajnë si cungje të thatë në kulmin e verës,
Zjarre të fjetura, derisa një cigare,
Hedhur nga një kalimtar i rastit,
Shkatërron gjithçka.
Në këto kushte disfate
Vendosa ta lë dallgën t’më përpijë.
E në më vraftë,
Të paktën do më freskoj.
Do kisha vdekur gjithsesi.
Më mirë të mbytem,
Buzëqeshurazi.
Më merr o dallgë.
Sot po të thërras ty.
Kur dielli të rrëzohet,
Përkundmë në ujërat e tua,
Të freskëta, por ngrohtësisht mbushur
Me përralla e rrëfenja që s’i njeh
Ky realitet i pamundur Saharaje.
Dua t’më thurësh një përrallë
Për një vend shumë të largët,
Ku vapa s’është kurrë kaq mizore,
Sa edhe një buzëqeshje duket barrë,
E një përshëndetje… mision i pamundur,
Mpirë nga zemërimi,
Verbuar nga dielli i gushtit.
Jona Cenameri


Leave a comment