Por s’është

Dhe pastaj një ditë
U zgjova pa alarm
Nuk mendova asgjë
Hapa bllokun e shënimeve
Nuk shkruajta asgjë

Koka ime ishte bosh
E zbrazët si një plazh
Që me rërën e tij të bardhë
Të verbon shikimin
Në një ditë të nxehtë vere

***

Nuk ëndërrova kurrë
Për gjëra të mundura
Dashurova të pamundurën
Por nuk vrapova pas saj
Ashtu desha unë, thjesht
Pa sakrifica, pa bujë

Dashurova të pamundurën
Se doja asgjënë
Doja lotët, vetminë
Kërkova muzën
E gjeta shkruajta
Vuajta, qava
Për çfarë
Sigurisht për asgjënë

A sa dhemb asgjëja
Të këput shpirtin
I ngjan një kopshti pa lule 
Pa pemë, pa gjelbërim
Por është kaq i bukur

Ahhh veç ta imagjinosh
Me trëndafila të kuq
Me bredha, me mimoza
Me shelgje, me vjollca

Do ishte një mrekulli
Është një mrekulli
Në kokën time
Një mirazh i bukur
Që s’ekziston
Po prap është i bukur
Deri në dhimbje

Ashtu i zbrazët
Me hijet e gjithçkaje
Që aty s’është
Mund të ishte
Por s’është

Jona Cenameri

Related posts