Në 3 korrik 2021, ndalimi i përdorimit të plastikës një përdorimshe hyri në fuqi në BE. Dekreti i Parlamentit Evropian synon të parandalojë dhe zvogëlojë ndikimin e produkteve plastike në mjedis, veçanërisht në gjallesat e detit. A është më në fund koha për një ndryshim?

Njëqind vjet nga tani, ne do të ecim mbi ujë. E dini pse?
Do të ketë aq shumë mbeturina plastike në oqean! Do të ishte e mundur të qëndroni në plehra, madje dhe të ecni mbi të në anën tjetër të gjirit. Nuk do të duhet të presim aq gjatë për të parë se si mund të duket. Çdo ditë mund të vëzhgojmë efektet tragjike të ndotjes plastike. Imagjinoni vetë një ishull të madh lundrues të përbërë nga mbeturina detare. Ajo tashmë ekziston – copa e madhe e mbeturinave të Paqësorit është akumulimi më i madh i plastikës oqeanike në botë. Ka 80,000 ton plastikë dhe është rreth 1,6 milion kilometra katrorë në madhësi – 62 herë më e madhe se sipërfaqja e Maqedonisë. Copa famëkeqe e përmendur këtu nuk është e vetmja në oqean. Nëse nuk merren masa, mund t’i harrojmë pushimet në breg të detit sa hap e mbyll sytë. Do të ketë më shumë mbetje toksike në det se sa peshq, dhe kush do të donte ta vinte jetën në rrezik?
Çdo vit në 3 Korrik festohet Dita Ndërkombëtare pa Qese Plastike. Këtë vit data është domethënëse. Direktiva e BE mbi plastikat një përdorimshe, e miratuar në qershor 2019, u prezantua më në fund. Plastikat një përdorimshe janë produkte të përdorura një herë ose për një kohë të shkurtër para se të hidhen. Direktiva indikon 10 artikuj që do të spastrohen nga tregjet e BE-së. Për produkte të tjera plastike një përdorimshe, BE-ja po përqendrohet në kufizimin e përdorimit të tyre. Qeset plastike, shkopinjtë me pambuk, takëm, pjata, pipa dhe shkopa trazues, balona dhe shkopinj për balona, tasa polisteroli për ushqime dhe pije, bishta cigaresh, pako dhe mbështjellëse, peceta të lagura dhe sende sanitare – të gjitha ato do të zhduken së shpejti nga raftet e dyqaneve. Shumica prej nesh i përdorin ato çdo ditë. A mund të jetojmë pa këto sende? Ndoshta jo të gjithë, por të gjithë mund të gjejnë produkte më miqësore për mjedisin dhe të zëvendësojnë ato që shkaktojnë mbeturina. Mesatarisht 30 milionë qese një përdorimshe konsumohen në 15 minuta. Çdo minutë më shumë njerëz hedhin edhe 2 milion të tjera. Çdo qese do të jetë në përdorim për rreth 15 minuta. Pastaj ato do të hidhen për të ndotur planetin tonë për disa qindra vjet. Kur shkoni në dyqan ushqimesh, merrni një çantë lecke ose një qese letre. Ju dëshironi të pini një pije të zbukuruar me një pipë – përdorni një pipë metali ose bambu. Nëse do të paketoni ushqimin e mbetur – provoni enë qelqi. Shumë zgjidhje të thjeshta mund të ndihmojnë për të shpëtuar planetin.
Super shpikje apo mallkim? Plastika është sfida e vërtetë e shekullit të 21-të. Supozohej se do të na ndihmonte të jetonim më rehat dhe higjenikisht, ndërsa deri në vitin 2050, do të ketë në oqeane më shumë prej saj sesa peshk. Ndalimi i përdorimit të plastikës një përdorimshe është një hap i rëndësishëm përpara, por gjithashtu nevojitet ndërgjegjësim.
Mund t’ju duhet pak më shumë se 2 minuta për të lexuar këtë artikull. Gjatë kësaj kohe, u konsumuan më shumë se 4 milion qese një përdorimshe. Herën tjetër kur të shkoni në dyqan, mendoni dy herë për atë që dëshironi të blini. Nëse do të shihni ndryshim dhe do të shpëtoni planetin tonë, së pari duhet të ndryshoni zakonet tuaja.
Jolanta Ciopińska
Përkthyesja: Ejona Limanaj
Burimet:
Komisioni Evropian: Plastikë një përdorimshe
Pastrimi i Oqeanit: Copa e Madhe e mbeturinave të Paqësorit
Oqeanet Plastike: Fakte të Ndotjes Plastike
Leave a Reply