Në shtëpinë time ndihem i lirë, dhe nuk kam pse të përmbush pritshmëri të mëdha. Është një hapësirë e sigurt. Në fakt, ndoshta do të thoja se njerëzit që takoni, që pëlqeni dhe për të cilët kujdeseni janë shtëpia juaj. Kjo sepse ju ndiheni të mirëpritur me ta dhe thjesht mund të relaksoheni rreth tyre. Por ka vende që janë gjithashtu një shtëpi. Për këtë, mendoj se kujtimet që keni krijuar diku, e bëjnë shtëpinë tuaj – shtëpinë tuaj. Të gjendesh në vendet ku ke përjetuar shumë mund të bëjë të ndihesh si në shtëpi. Gjithashtu, një vend ku takoheni shpesh me njerëz që janë shtëpia juaj mund të kthehet në shtëpi. Për më tepër, fakti që ju dini vende (si kafene apo dyqane) ku mund të shkoni, që ju pëlqejnë dhe ku ndiheni rehat është pjesë e shtëpisë. Kështu që, kur shkoni në një vend të ri dhe nuk njihni njeri ose nuk keni krijuar ende kujtime, si mund ta bëni atë shtëpinë tuaj?
Natyrisht, përgjigjia e dukshme është të përpiqeni të takoni njerëz të rinj që me kalimin e kohës mund t’ju bëhen miq dhe të krijoni kujtime me ta. Mund të eksploroni qytetin dhe të gjeni vende të reja të preferuara. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Por do t’ju marrë pak kohë, kështu që kur të mbërrini, mendoj se ka disa mënyra për t’u ndjerë si në shtëpi sa më shpejt. Le të bëjmë një udhëtim të vogël imagjinar.
Imagjinoni që po ktheheni në shtëpi dhe po hyni brenda. Ju jeni vetëm, por ndiheni si në shtëpi. Ju shkoni në kuzhinë dhe merrni diçka për të ngrënë. Dhe pastaj shkoni në dhomën tuaj, uleni në vendin tuaj të preferuar dhe thjesht relaksoheni dhe hani. Mendoni se si ndiheni. Shpresoj, ky vend të ndihet si shtëpi. Mendoni për gjërat që e bënë atë vend shtëpi, përveç njerëzve apo kujtimeve. Unë po mendoja për magnetët në frigorifer, batanijet dhe jastëkët e mi, si dhe bimët e mia. Pra, për mua, një aspekt tjetër që ka rëndësi për t’u ndjerë si në shtëpi është dekorimi. Kur shkoni jashtë vendit për ca kohë, mendoni se cilat dekorime janë të rëndësishme për ju dhe ose merrini me vete ose blini të reja. E solla jastëkun tim që të ndihem si në shtëpinë time dhe patjetër do të shkoj të blej një bimë këtu në Shkup. Sipas pikëpamjes time, njerëzit dhe kujtimet janë gjëja më e rëndësishme, por mendoj se dekorimet dhe një vend i këndshëm për të qëndruar, mund të ndihmojnë në fillim.
Ajo që mund të ndihmojë gjithashtu është ndërtimi i disa rutinave. Ju mund të bëni gjëra të ngjashme që keni bërë në shtëpi nëse dëshironi, dhe kjo mund t’ju japë siguri. Për mua, relaksimi për ca kohë menjëherë kur kthehem në shtëpi, si në udhëtimin imagjinar, është një rutinë. Me këtë mund të qetësohem për një sekondë përpara se të bëj gjëra të tjera dhe është një rutinë e këndshme që do ta zbatoj jashtë vendit.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i një shtëpie që të bëhet shtëpi është mentaliteti juaj. Ngjan e thjeshtë, por ka një ndikim të madh. Ju duhet ta imagjinoni veten në shtëpinë tuaj të re duke bërë gjërat që ju pëlqejnë dhe duke arritur qëllimet tuaja. Nëpërmjet kësaj, ju krijoni një lidhje me vendin në mendjen tuaj. Në shtëpinë tuaj të fëmijërisë jeni rritur atje dhe automatikisht i keni bërë këto gjëra atje, kështu që për një vend të ri mund të përpiqeni ti imagjinoni derisa t’ia dilni.
Gjithashtu, ndarja me të tjerët mund ta bëjë shtëpinë tuaj një shtëpi. Le të kthehemi tek udhëtimi ynë imagjinar. Jeni ulur në shtëpinë tuaj në vendin tuaj të preferuar dhe më pas ndoshta do t’i dërgoni mesazh dikujt. Duhet ta bëni këtë edhe kur të jeni jashtë vendit. Dërgojini mesazhe miqve dhe familjes për shtëpinë tuaj të re. Ata mund të jenë pjesë e saj nëse ju dëshironi që ata të jenë. Me këtë, nuk do të ndiheni të vetmuar dhe një pjesë e njerëzve që janë shtëpia juaj mund të jenë jashtë vendit me ju. Zhvendosja nuk do të thotë të lini pas shtëpinë tuaj njerëzore, si familja dhe miqtë. Është më shumë si të lini një vend me kujtime që mund t’i merrni disi me vete dhe do të ndërtoni një shtëpi të re, të dytë. Pra, mos kini frikë të largoheni nga shtëpia juaj. Të shkosh jashtë do të thotë të zgjerosh shtëpinë tënde, jo ta lësh plotësisht atë.
Të bësh një shtëpi, shtëpinë tënde ka kuptime të ndryshme për të gjithë. Pra, në këtë artikull unë flas vetëm për disa aspekte që janë të rëndësishme për mua ose për disa nga njerëzit me të cilët fola për këtë temë. Thjesht zbuloni se çfarë e bën një vend një shtëpi për ju dhe jam i sigurt se mund të bëni një vend jashtë, një shtëpi tjetër për veten tuaj.
Maike Seuffert
Përktheu: Ejona Limanaj


Leave a comment