Të udhëtosh vetëm, por asnjëherë i vetmuar

Teksa shkruaj këtë artikull, kam 8 muaj që jetoj në Shkup, Maqedoni. Gjatë kësaj kohe, fillova të mendoja se si përfundova duke lëvizur jashtë vendit vetëm pa njohur askënd… Më bëri të pyesja veten nëse të udhëtosh vetëm so të thotë që vërtet je i vetmuar?

Meqenëse nuk kam pasur kurrë frikë të udhëtoj apo të bëj gjëra vetë, prindërit e mi më lejuan të jem sa më i pavarur. Që nga fëmijëria, kam kaluar shumë kohë larg shtëpisë, ose duke kaluar pushime me gjyshërit e mi ose duke shkuar në kampe adoleshentësh në Poloni ose në vende tjera.

Hera e parë që udhëtova tërësisht vetëm ishte për ditëlindjen time të 18-të në Romë. Doja të përjetoja pavarësinë dhe të provoja veten. Në thelb kisha planifikuar gjithçka. Unë gjithashtu mendoj se jam më shumë pas planifikimit sesa të qenit spontan, por i dhashë vetes pak hapësirë ​​për të rregulluar planin me kalimin e kohës. Qëllimi im ishte ta kaloja udhëtimin kryesisht vetëm, por siç rezulton, polakët janë kudo.

Në prag të ditëlindjes sime, pas një dite të plotë vizitash, vendosa të blija një shishe verë të ëmbël nga një supermarket lokal. Në Itali, kjo nuk është aq e lehtë sa mund të mendoni. Ndërsa kërkoja, u përplasa me një çift nga Varshava dhe përfunduam duke festuar ditëlindjen time së bashku. Një herë tjetër, kur po kthehesha nga Sofja në Shkup, doja të pushoja, por pas një bisede të vogël me shoferin ai më kërkoi të ulesha përpara për ta ndihmuar të shkruante diçka. Pastaj folëm për rreth një orë. Ishte e paplanifikuar? Po. Ishte bukur? Absolutisht!

Përjetimi i këtyre momenteve më bëri të kuptoj diçka: kur udhëton vetëm, në fakt hapesh për të folur me njerëz të rinj. Gjatë udhëtimeve të mia si i vetëm mund të vëzhgoja shumë më shumë, qoftë në një kafene, qoftë duke ecur. Shumë herë nuk e kam zbuluar identitetin tim polak sepse nuk kam folur me njerëz. Ndonjëherë ndodhte që disa polakë flisnin, kështu që unë mund të flisja me ta ose të vëzhgoja. Kur isha në Maltë, menjëherë pas Romës, shkova në një restorant për të blerë pica. Po porosisja në anglisht, por e dëgjova një grua duke thënë “super” me një theks karakteristik dhe më pas filluam të bisedonim. Ajo po shkonte në Poloni me të njëjtin aeroplan që të mund të ndryshonim vendet me burrin e saj.

Më parë, fokusohesha më shumë në anët pozitive të udhëtimit vetëm. Por, sigurisht, mund të them se mund të ketë disa momente mërzie, lodhjeje apo vetmie. Udhëtimet që zakonisht shohim në Instagram nuk janë aq perfekte. Ndonjëherë, ndodhin edhe momente të këqija, në ato momente, zakonisht përpiqem të telefonoj dikë për të folur, për tu qetësuar dhe ardhur në vete, Kur jam shumë i lodhur i ndërpres aktivitetet sepse të udhëtosh për mua nuk është vetëm të bëj fotografi, të shënoj dhe vazhdoj shëtitjen… Është diçka më shumë – përjetim. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë zgjedh të marr një sy gjumë në vend që të lodhem dhe të mos e shijoj udhëtimin.

Nga përvoja ime, mund të them se të udhëtosh vetëm dhe të udhëtosh me dikë janë dy përvoja shumë të ndryshme. Para se të filloja, pashë shumë influencues që postonin foto perfekte në spotet në Instagram, vetëm momente të mira që më dukeshin joreale. Pas gjithë udhëtimeve të mia, mund të them se jo gjithçka është perfekte. Kishte momente krize, por pavarësisht kësaj, unë do ta quaja një formë lirie udhëtimin e vetëm ose në thelb udhëtimin e pavarur. Gjithashtu, mendoj se të udhëtosh vetëm nuk është të jesh i vetmuar. Në fund të fundit, edhe kur udhëtoni vetëm, jeni të rrethuar nga njerëz që nuk i njihni dhe ka gjithmonë një mundësi për të takuar dikë të ri.

Jakub Pokuciński

Përktheu: Dora Arifi

Related posts