Takimi i fundit


Gjithmonë shkruhet
për një takim të fundit,
për një lamtumirë
të dhimbshme si fund-jete.

Shkruhet për atë përshëndetjen
epike, fundore, shembëse,
kur kokën kthen në anën tjetër
dhe nuk të lë egoja të shohësh pas.

Por sytë e zemrës mbeten pas koke,
drejt fytyrës së atij që, larg teje,
në anë tjetër është nisur.
Por ti nuk e ndalove, as pipëtive, thjesht ike.

Një mirupafshim i beftë,
si traktat nga të dy i nënshkruar,
mbushi ajrin dhe të dy… ikët,
për të shkruar më pas dy poezi të trishta.

Poezi të gënjeshtërta shkruat të dy;
rrena, tentativa për t’u dukur hyjnorë
në një botë njerëzore ku fjalët munguan.
Poezia, sigurisht, nuk thotë dot asgjë.

Më kot mundi, më kot e shkruara,
kur atij nuk ia the sesi ndihesh,
kur e le të shkojë me besimin
se ikja ishte e vetmja zgjidhje.

Jona Cenameri

Related posts