Fusha muzikore e betejës këtë vit ishte një mozaik i vërtetë. Nga finlandezët që gjithmonë luajnë fort, tek një këngëtare emocionale franceze, deri tek Islandezët e veçantë dhe shumë shokues. Por ishin katër të rinjtë nga Roma, që tronditën konkursin e këngës Eurovision 2021, duke deklaruar një fitore për Italinë për herë të tretë në histori.
Si ndihet që një ditë të jesh duke luajtur në rrugët e Romës, duke mbledhur para në një kuti kitare, dhe të nesërmen të jesh në qendër të vëmendjes së Evropës? Banda italiane Måneskin nuk është e para që fillon nga asgjëja dhe papritmas bëhet biseda e gjithë kontinentit. Muzika dhe personalitetet e tyre energjike janë diçka për të cilën gazetat italiane nuk mund të ndalojnë së shkruari, plus që ata tashmë janë krahasuar me ekipin italian të futbollit që ka fituar Kupën e Botës në 2006. Måneskin, Toto Cutugno, Gigliola Cinquetti. Këta të tre janë të vetmit fitues italianë në historinë e Eurovision. Një fakt i vogël argëtues është se të tre ata artistë po këndonin në gjuhën e tyre amtare.

Çfarë është e gjithë kjo në lidhje me Eurovision dhe anglishten e gjithëpranishme?
Gjë e sigurt, anglishtja është një gjuhë ndërkombëtare, shumica e njerëzve e flasin atë ose të paktën e kuptojnë. Është një trend për artistë në të gjithë botën që të këndojnë në anglisht, pasi ata duan të kuptohen gjerësisht dhe të arrijnë audiencën jashtë vendeve të tyre. Por, dikur magjia e Eurovision ishte se, çdo artist këndonte në gjuhën e tij amtare, Evropa mund të dëgjonte zërin e çdo kombi. Edhe nëse një gjuhë është e kuptueshme nga më pak njerëz, ka diçka personale dhe intime në tregimin e një historie në gjuhën tuaj. A nuk mendoni kështu? 18 nga 26 garues në finalet e Eurovision kënduan në anglisht. Për ta përmbledhur, përveç anglishtes, mund të dëgjonim shqip, frëngjisht, italisht, rusisht, serbisht, spanjisht dhe ukrainisht. Shtatë gjuhë. A mund t’i imagjinoni të gjithë duke kënduar në gjuhën e tyre – në vetëm një mbrëmje do të dëgjonim të paktën njëzet gjuhë të ndryshme!
Flashback të finales së madhe
Nëse përpiqemi të tregojmë historinë e kësaj finale të Eurovision, mund të shkruajmë një artikull të pafund. Çfarë do të mbani mend më shumë këtë vit? Një këngëtar rus, duke dalë nga një tortë me përmasa gjigande, që të kujton një kukull Matryoshka. Një baladë portugeze që na mbështolli të gjithëve në intimitet dhe na solli brenda koncertit. Një bandë folklorike ukrainase, që përdori tingullin për t’u rikthyer në rrënjët tradicionale, fshatin, natyrën. Islandezët me trikot e zbukuruara dhe një koreografi vallëzimi, sa të veçantë aq edhe qesharake, të cilën, me siguri, shumë njerëz do ta mësojnë nga një tutorial në YouTube. Beteja e fundit emocionale midis Italisë dhe Francës. Këto ishin momentet…
Ewelina Chańska
Përkthyes: Ejona Limanaj
Burimet:
https://eurovision.tv/
https://www.rmf24.pl/kultura/news-eurowizja-2021-zwyciestwo-zespolu-maneskin-z-wloch,nId,5250329#crp_state=1
Leave a Reply