Leximi me zë të lartë duket i thjeshtë për shumë njerëz. Megjithatë, për disa persona me disleksi, është një detyrë e vështirë. Personalisht, është diçka që përpiqem ta shmang me çdo kusht. Është një lloj presioni i madh, sepse menjëherë fillon të mendosh më të keqen. Imagjinon skenarë të ndryshëm: nëse bën një gabim, si mund të reagojnë të tjerët, nëse ngec në ndonjë fjalë ose nëse humb vendin brenda tekstit. Ndërsa për disa njerëz kjo duket diçka natyrale, për ne kërkon shumë më tepër përpjekje dhe përqendrim.
Edhe sot e kujtoj ankthin që ndjeja kur isha në shkollë. Ishte një ushtrim me lexim me zë, ku secili nxënës lexonte një fjali dhe më pas thërriste emrin e një shoku të klasës për të vazhduar. Kisha frikë sa herë që dëgjoja emrin tim. Prandaj, para çdo fjalie, e përsërisja mendërisht atë që do të thoja, për të shmangur gabimet, por kjo vetëm sa e shtonte edhe më shumë presionin e brendshëm.
Kur vinte radha ime, stresi më pushtonte. Më dukej sikur të gjithë sytë ishin mbi mua, sy që ndoshta ekzistonin vetëm në mendjen time. Mendimet më ngatërroheshin sapo filloja të lexoja. Lexoja ngadalë dhe më dukej sikur kjo vihej re menjëherë, gjë që më bënte të ndihesha edhe më në siklet. Në atë moment, gjithçka që doja ishte që të mbaronte sa më shpejt të ishte e mundur.
Pasi mbaroja fjalinë time, ndjeja një përzierje lehtësimi dhe turpi. Lehtësim sepse gjithçka kishte përfunduar, por edhe turp sepse e dija që ndoshta isha ndalur ose isha penguar në disa fjalë. Gjithmonë pyesja veten se si e kishin perceptuar të tjerët, dhe për një kohë të gjatë më mbetej ai ndjenjë sikur “e kisha bërë gabim”, edhe pse në të vërtetë kisha bërë thjesht më të mirën time.
E di që nuk jam personi i vetëm që ndihet kështu. Shumë persona me disleksi përjetojnë të njëjtat situata. Leximi me zë të lartë mund të duket diçka e parëndësishme për disa njerëz, por për ne mund të bëhet një burim i vërtetë ankthi. Me kalimin e kohës, mësojmë si ta përballojmë, si të përgatitemi mendërisht, ose ndonjëherë si t’i shmangim këto momente kur është e mundur. Por kjo nuk do të thotë se bëhet më e lehtë. Shpresoj që të tjerët ta kuptojnë më mirë se çfarë përfaqëson kjo për ne, në mënyrë që këto situata të bëhen më pak të vështira dhe më mirëkuptuese për të gjithë.
Sophia Ali
Përktheu: Dora Arifi


Leave a comment