Çfarë fshihet pas dëshirës së fortë për të përdorur rrjetet sociale?

Shfletim pa fund, net pa gjumë dhe orë të tëra të kaluara në TikTok ose Instagram, që sjellin kënaqësi të përkohshme dhe një ndjenjë boshllëku – duke të bërë të kërkojmë gjithmonë e më shumë? Ndonëse kjo mund t’u duket e panjohur brezave të vjetër, për shumicën e të rinjve sot është bërë pjesë e realitetit të përditshëm.

Sipas statistikave të fundit (2026), një person mesatar i Gjeneratës Z raporton rreth 6.6 orë kohë para ekranit në ditë, ndërsa rreth 3 në 10 pjesëtarë të Gjeneratës Z kalojnë më shumë se 8 orë në telefon çdo ditë. Për më tepër, siç kanë zbuluar studiuesit, pjesëtarët e Gjeneratës Z priren ta nënvlerësojnë kohën që kalojnë para ekranit çdo ditë, gjë që mund të krijojë një perceptim të rremë për sasinë e kohës që ata në të vërtetë “harxhojnë” online. Një tjetër statistikë (2026) tregon se TikTok është aktualisht platforma e rrjeteve sociale më e përdorur. Një përdorues mesatar i TikTok-ut në mbarë botën kalon rreth 95 minuta në ditë në këtë aplikacion, ndërsa një pjesëtar mesatar i Gjeneratës Z, e cila është grupmosha më e përfaqësuar në këtë rrjet social, konsumon rreth 152 minuta përmbajtje në TikTok çdo ditë.

Këto të dhëna mjaft shqetësuese na shtyjnë të pyesim se përse të rinjtë kalojnë kaq shumë kohë në telefonat e tyre. Çfarë qëndron pas kësaj prirjeje kaq të përhapur të të rinjve për përdorimin e vazhdueshëm të rrjeteve sociale?

Përgjigjja e përbashkët ndaj këtyre pyetjeve, të cilën e trajton ky artikull, lidhet me varësinë ndaj dopaminës. Dopamina mund të përkufizohet si një lajmëtar kimik që luan një rol thelbësor në komunikimin midis qelizave nervore në tru dhe në trup. Ajo lidhet me kujtesën, lëvizjen, gjendjen shpirtërore, motivimin, gjumin, vëmendjen, sjelljen dhe aftësitë njohëse.

Për më tepër, dopamina njihet si një hormon që lidhet me ndjenjën e mirëqenies dhe kënaqësisë, që do të thotë se funksionon në bazë të të ashtuquajturit “sistem i shpërblimit”. Truri i njeriut është i prirur natyrshëm të kryejë aktivitete që nxisin çlirimin e dopaminës në sistemin nervor. Ndjenja e kënaqësisë, e cila shoqërohet me çlirimin e dopaminës, vjen pas aktiviteteve të zakonshme që na ndihmojnë të mbijetojmë, si gjumi ose ushqimi.

Konsumimi i tepërt i ushqimeve të pashëndetshme, sheqerit të bardhë, cigareve ose alkoolit mund të krijojë lehtësisht varësi, pasi këto substanca nxisin çlirimin e dopaminës dhe, në këtë mënyrë, plotësojnë “dëshirat tona njerëzore”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shfletimin e vazhdueshëm në telefonat tanë. Në shoqërinë bashkëkohore, lëvizja pa fund nëpër rrjetet sociale përfaqëson një formë të re të varësisë ndaj dopaminës.

“Dopamine-scrolling” është një model sjelljeje ose një zakon që konsiston në shikimin e një videoje pas tjetrës në rrjetet sociale, me synimin për të konsumuar vazhdimisht përmbajtje të reja dhe argëtuese. Dallimi kryesor midis “dopamine-scrolling” dhe “doom-scrolling” qëndron në llojin e përmbajtjes që konsumohet. Personat që praktikojnë “doom-scrolling” priren të shohin përmbajtje shqetësuese në rrjetet sociale dhe lajme negative. Ndërsa “doom-scrolling” bazohet në mekanizma shpërblyes të lidhur me emocione negative, “dopamine-scrolling” bazohet në mekanizma shpërblyes të lidhur me emocione pozitive.

Pavarësisht faktit se ndjenja që përjetojmë pas shfletimit në rrjetet sociale na sjell një kënaqësi të përkohshme, kur kjo sjellje nuk kufizohet apo kontrollohet, ajo mund të çojë në probleme të ndryshme, duke përfshirë reduktimin e komunikimit shoqëror, stimulimin e tepërt dhe problemet e shëndetit mendor. Edhe pse koha e kaluar në rrjetet sociale mund të duket relativisht e lehtë për t’u kontrolluar, për shembull duke vendosur kufizime kohore në një platformë të caktuar, në realitet shpesh ndodh e kundërta. Përmbajtja që shfaqet në faqen tonë “For You” është rezultat i algoritmeve të sofistikuara. Një nxitje e thjeshtë, në formën e një njoftimi, mjafton që të hapim aplikacionin e rrjeteve sociale. Pasi shohim videon e parë të shkurtër ose “reel”-in e parë, është shumë e zakonshme të kalojmë në një lloj “autopiloti” dhe të humbasim për orë të tëra duke shfletuar. Tani e dimë se kjo lidhet me një rritje të menjëhershme të dopaminës, e cila në mënyrë të pavetëdijshme na shtyn të dëshirojmë më shumë dhe të kalojmë te videoja tjetër.

Prandaj, herën tjetër që ta gjeni veten duke shfletuar pa fund në një nga platformat tuaja të preferuara të rrjeteve sociale, përpiquni ta përmbushni nevojën për dopaminë në një mënyrë më të shëndetshme. Në vend që të mbeteni të bllokuar në ciklin e shfletimit të pandërprerë, provoni të dilni jashtë dhe t’i jepni trurit dhe trupit tuaj pak ajër të pastër. Nëse jeni shumë të lodhur për të lëvizur, bisedoni me familjen ose miqtë tuaj, ose thjesht provoni të bëni një sy gjumë. Përveç kësaj, ju inkurajoj të vendosni një kufizim efektiv kohor për përdorimin e aplikacioneve, i cili do t’ju ndihmojë të bëni një pushim të vetëdijshëm nga këto aplikacione me nivel të lartë stimulimi. MË BESONI, TRUPI JUAJ DO T’JU FALËNDEROJË MË VONË.

Patrícia Palajová

Përktheu: Dora Arifi

Burimet:

2026 Survey: Do Gen Z and Millennials Have Different Phone Habits? – NumberBarn Blog

Time Spent on TikTok Statistics 2026: Daily Minutes by Age – SQ Magazine

Dopamine: What It Is, Function & Symptoms – Cleveland Clinic

Dopamine-scrolling: a modern public health challenge requiring urgent attention – PMC

Related posts