Misogjinia dhe misandria janë terma që përdoren shpesh në diskursin shoqëror modern, megjithatë, ndikimi i tyre në jetën reale dhe pesha e tyre strukturore shpesh keqkuptohen. Edhe pse të dy konceptet i referohen armiqësisë së bazuar në gjini, trajtimi i tyre si forca të barabarta shpërfill pabarazinë e thellë në mënyrën se si ato shfaqen dhe funksionojnë në shoqëri.
Për ta kuptuar këtë dinamikë, fillimisht duhet të shqyrtojmë se si përkufizohen zyrtarisht këta terma dhe si përjetohen ata në praktikë:
• Misogjinia mund të përkufizohet si urrejtje, përçmim ose paragjykim i rrënjosur ndaj grave.
• Misandria mund të përkufizohet si urrejtje, përçmim ose paragjykim ndaj burrave.
Megjithëse të dy përkufizimet përshkruajnë qëndrime negative të bazuara në gjini, kontekstet e tyre sistemike janë krejtësisht të ndryshme. Misogjinia funksionon si një forcë e institucionalizuar dhe strukturore – një sistem i rrënjosur në strukturat shoqërore, politike dhe kulturore, i cili historikisht dhe vazhdon edhe sot t’i nënshtrojë gratë. Në të kundërt, kritikat bashkëkohore ndaj misandrisë shpesh theksojnë se ajo shfaqet kryesisht si një fenomen reaktiv, dhe jo si një mekanizëm institucional. Megjithatë, për të kuptuar se si funksionon armiqësia e bazuar në gjini, është e rëndësishme të analizojmë pse termi «misandri» vihet kaq shpesh në pikëpyetje ose bëhet objekt debati në kritikën shoqërore.
Ndryshe nga misogjinia, misandria nuk buron nga një sistem dominimi institucional, në të cilin burrave u mohohen sistematikisht të drejtat ligjore, përfaqësimi politik apo autonomia mbi trupin e tyre. Përkundrazi, manifestimet bashkëkohore të misandrisë shpesh kuptohen si shprehje mbrojtëse ose reaktive, që lindin si pasojë e përvojave të individëve të cilët kanë përjetuar shtypje sistemike për një kohë të gjatë.
Në të njëjtën kohë, një analizë gjithëpërfshirëse kërkohet që të kuptojmë se patriarkati, si sistem shoqëror, nuk ushtron ndikim vetëm mbi gratë. Normat patriarkale dhe format e dominimit mashkullor krijojnë gjithashtu standarde të ngurta shoqërore, të cilat cenojnë edhe burrat që nuk përmbushin pritshmëritë tradicionale të shoqërisë, si burrat me gjendje më të pafavorshme ekonomike, pjesëtarët e pakicave seksuale dhe gjinore, si dhe ata që përkrahin lëvizjet feministe.
Të jetuarit në një shoqëri të ndërtuar mbi norma kufizuese patriarkale nënkupton që shumë gra përballen çdo ditë me kufizime të vazhdueshme të lirisë dhe autonomisë së tyre. Imagjinoni të rriteni në një mjedis ku çdo vendim personal – nga mënyra e të veshurit dhe personat me të cilët shoqëroheni, deri te mundësitë për arsimim dhe shprehja e lirë e vetvetes – kontrollohet, gjykohet ose kufizohet vazhdimisht nga burra që veprojnë sipas normave dhe pritshmërive patriarkale.
Për miliona vajza dhe gra, potenciali dhe ambiciet shuhen përpara se të kenë mundësinë të zhvillohen plotësisht.
Pasojat e kësaj pabarazie shkojnë shumë përtej debateve në internet apo ndjenjave të lënduara. Ndërsa armiqësia e drejtuar ndaj burrave në hapësirat virtuale shpesh shfaqet përmes konflikteve ndërpersonale ose debateve në mbrojtje të vetvetes, misogjinia shpesh merr përmasa shumë më të rënda, duke sjellë pasoja fizike, madje edhe vdekjeprurëse. Në mbarë botën, diskriminimi me bazë gjinore përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë, dinjitetin dhe të drejtat themelore të grave.
Sipas të dhënave në nivel global nga organizata si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UN Women, dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një fenomen me përmasa shqetësuese dhe një problem serioz që kërkon vëmendje dhe ndërhyrje të vazhdueshme.
• Përhapja e dhunës: Në nivel global, afërsisht 1 në 3 gra (rreth 31%–32%, ose përafërsisht 840 milionë gra dhe vajza) ka përjetuar gjatë jetës së saj dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim, ose dhunë seksuale nga persona që nuk kanë qenë partnerë të tyre.
• Vrasjet brenda familjes: Të dhënat tregojnë se rreth 60% e të gjitha vrasjeve të grave në mbarë botën kryhen nga anëtarë të familjes ose partnerë intimë, në krahasim, kjo përqindje është rreth 11%–12% për vrasjet e burrave.
• Ndikimi i përditshëm: Kjo përkthehet në një mesatare prej rreth 140 grash ose vajzash që vriten çdo ditë nga persona të afërt me to, duke dëshmuar se gratë janë në mënyrë dërrmuese viktima të dhunës brenda vetë shtëpive të tyre.
Në thelb, adresimi i kësaj çështjeje nuk synon të dëshmojë epërsinë morale të njërës palë dhe as të përmbysë raportet ekzistuese të shtypjes. Synimi është të riafirmojë të drejtat themelore të çdo njeriu: të drejtën për të jetuar i lirë nga frika, për të vendosur vetë mbi trupin dhe jetën e tij, si dhe për të qenë plotësisht vetvetja pa hezitim.
Ndryshimi i vërtetë kërkon më shumë sesa thjesht pranimin në heshtje të këtyre pabarazive; ai kërkon ndërhyrje dhe veprim konkret. Çrrënjosja e kësaj pabarazie kërkon që burrat të reflektojnë dhe të kundërshtojnë shfaqjet e përditshme të misogjinisë në rrethet e tyre shoqërore, të sfidojnë normat dhe pritshmëritë kufizuese patriarkale që dëmtojnë të gjithë, si dhe të mos e vendosin më rehatinë personale mbi përgjegjësinë morale.Si shoqëri, nuk na mjafton të dimë se ka njerëz që nuk bëjnë keq; por për aleatë të vërtetë dhe aktivë, të cilët nuk heshtin përballë padrejtësisë.
Anesa Sulejmani
Përktheu: Dora Arifi
Burimet:
UN Women (Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore): Fakte dhe statistika – Dhënia fund e dhunës ndaj grave. https://www.unwomen.org/en/articles/facts-and-figures/facts-and-figures-ending-violence-against-women
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH): Vlerësimet mbi përhapjen e dhunës ndaj grave.


Leave a Reply