Një udhëtim sekret drejt maleve të zhveshura të Skënderbeut

Zgjohem në mëngjes herët, dëgjoj sorrat poshtë shtëpisë “krra-krra” dhe përnjëherë më kap frika nëse ky mëngjes do të ishte i fundit që unë do të zgjohesha në shtratin tim të rehatshëm.

Ishte ora rreth 5 e gjysmë e mëngjesit dhe duhet të kapja në orën 6 pa 10 orarin për të hipur në maunen dhe shoferin që im atë më kishte thënë se do të ishte shoqëruesi i udhëtimit tim, që unë druhesha e kisha frikë se mos ishte i fundit për mua.

Një ditë më parë, miq të afërm e të mirë ishin vërtet të shqetësuar për mua, pasi mund të ndeshesha me trafikantë droge apo biznese ilegale që vështirë se mund të më linin të shpëtoja në rast se ekspozoheshin, pasi rrezikonin disa vite të mira burgimi për shkak të punës që bënin.

Teksa ashtu i përgjumur, pa pasur kohë të laj as dhëmbët, sjell në mendje fluturimthi mendimet se sa kisha arritur si gazetar i ri në karrierën time që aspiroja shumë. Por në fakt, kjo bursë gazetarie ishte çmimi më i madh që mund të kisha arritur ndonjëherë dhe pyesja veten se ku do të shkoja pas kësaj.

Më pas më vijnë në mendje bisedat e djeshme me familjen time, se sa të shqetësuar ishin ata për udhëtimin që do të bëja sot dhe mezi prisnin të nervozuar derisa të kthehesha si djali i vetëm i tyre. Por unë i kisha menduar të gjitha në rast se do të përballesha me shkelësit e ligjit, apo në fatin tim më të keq nëse ekspozoja ndonjë parcelë droge apo zbuloja më shumë seç duhet, dhe sa shanse do të kisha të shpëtoja gjallë që aty.

Dhe në fakt, parashikimet e mia nuk gabuan… Në postimet e fundit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Qarku Elbasan dhe faqes së Policisë së Shtetit shihja se si së fundmi ishin intensifikuar patrullimet me qen antidrogë për të monitoruar terrenin e thyer që është perfekt për të zhvilluar veprimtari kriminale, pasi këto zona nuk janë të lehta për t’u aksesuar.

Madje dhe fshati Rrajcë Skënderbej, që është shpallur si një pasuri ndërkombëtare nga UNESCO, është një terren dhe një fshat i humbur saqë nuk mund ta besosh se në botë ekzistojnë vende të tilla. Ora ishte 6 pa dhjetë, dhe shoferi i maunës ishte fiks në kohë në vendndodhje. Më shikon dhe më thotë:

— Hajde student, nuk kemi kohë për të humbur, jam me GPS, shefat e mi më kontrollojnë.

I tund kokën babait, dhe pa mbyllur mirë derën, thotë:

— MIRUPAFSHIM! — dhe i jep me shpejtësi makinës.

— Ke marrë bukë dhe ujë me vete se na pret rrugë e gjatë…?

— Po, i them unë.

— Ok, shumë mirë, — më thotë dhe vazhdon më tej duke treguar se vajtja është diku deri në 3 orë ngjitje në mal dhe 3 orë kthimi, e nga ora 2 e gjysmë do të ishim në qytetin e Librazhdit.

Po përpiqesha të analizoja çdo gjest të tij, mënyrën se si shihte i hutuar makinat që kalonin pranë tij; ishte gjithmonë i djersitur dhe me 3 telefona të thjeshtë në dorë që dukeshin si telefona që mbanin shumë bateri. 

Sapo më sheh telefonin tim në dorë, më thotë:

— Atë do ta fikësh kur të jemi atje lart! Unë do të tregoj ku mund të bësh foto të bimëve që ty të duhen si biolog i ardhshëm. Do të jemi mbi 1900 metra mbi lartësinë e detit dhe do të bësh foto kur të thëm unë. Gjëra të tjera mos nxirr se do t’i kemi punët pisk edhe unë, edhe ti.

Pas 1 ore rrugë, shoferi ndalon për kafe e më fton edhe mua. Aty shoh edhe shoferë të tjerë që nga dialekti nuk ngjajnë si nga Librazhdi, por nga qytete të ndryshme.

— Po ky, kush është? — tha njëri prej shoferëve me ton të ngrysur që tingëllonte si i bezdisur nga prania ime.

— Ah, është një student nga Librazhdi që studion për biologji dhe po mbron tezën e diplomës e ka nevojë për të parë bimë të rralla që ndodhen në park. Do ta ndihmojmë apo jo patriotin tonë të marrë një notë të mirë? Për më tepër është në moshën e vajzës sime.

— Përderisa ti e ke marrë, ti e di, — i u përgjigj shoferi tjetër.

Po ndihesha pak në siklet dhe keq për shoferin me të cilin po udhëtoja, pasi unë isha duke e gënjyer atë. Amerikanët do të thoshin “white lie”, por ishte një gënjeshtër për një kauzë shumë të madhe, ku sigurisht unë nuk doja të bija hero pas atij udhëtimi. Por tashmë ishte tepër vonë e nuk kishte më kthim mbrapa.

Udhëtimi në vazhdim ishte një tmerr i vërtetë, nga ato udhëtime ku unë mbaja frymën, sepse për t’u ngjitur lart në mal deri në destinacionin e fundit, shoferi ngiste makinën e madhe në disa rrugë shumë të ngushta dhe disa tatëpjeta, saqë mua më iku truri kur ai, si një mysliman, bënte lutjen e tij: “Dashtë Zoti e ngjisim këtë pa na ikur makina mbrapa në humnerë, Bismillah”, dhe çdo gjë e linte rastësore.

Kishim rreth 45 minuta që ecnim 10 metra përpara dhe 5 metra mbrapa. Për një moment shoferi ndalon makinën dhe vë gurë tek rrotat që rrëshqisnin nga balta. Pak më tutje na priste një rrugë shumë e ngushtë, saqë unë mbylla sytë pasi nuk mund ta shihja dot. Aq më shumë që shoferi nuk ishte në humor, pasi kishte bërë debat me shoferët e tjerë për vendin më të mirë ku do të punonin për sot.

Rrugës shoh makina “CAT” të tipit gërmuese që hapnin rrugë të reja në mal. Aty mendova shpesh: kush e di sa miliona dollarë sjell ky biznes ilegal për bosët e tyre që vënë në dispozicion të tilla makineri dhe roje — çuna të rinj të zonës, muskulozë, që çdo gjysmë ore shfaqeshin në prita të ndryshme për të treguar rrugën dhe se gjithçka po shkonte mirë.

Isha i frikësuar, por mundohesha të rrija i qetë që të memorizoja sa më shumë detaje e të tregohesha profesional në çdo rast. Telefoni im celular tashmë nuk kishte valë dhe kisha 9 thirrje të humbura nga im atë në telefon.

Më në fund ndalojmë në një fshat ku djem të rinj të zonës do të na bashkoheshin në maune e do të hipnin mbrapa saj për ditën e tyre të punës. Përfitoj nga rasti që shoferi ndalon në një burim për të pirë ujë dhe nxjerr telefonin të bëja foto, pasi gjeta një vend të sigurt. Shoh një plakë të moshuar që afrohet afër e më sheh që fshehurazi bëj fotografi. 

Më thotë:

— Bëji, bëji, tregoju të gjithëve se çfarë bëhet këtu! E sheh këtë trungun e pemës që e ka lëngun akoma të dukshëm e si të trashë? Ne të moshuarit i thërrasim “loti i pemës”… pasi ato qajnë kur priten… Ah mor bir, të dhemb në shpirt!

Përpara meje shtrihej një mal i tërë i shpyllëzuar, që nuk kishte asnjë pemë, saqë për një moment mendova mos ndodhesha në shkretëtirën e Saharasë. 

Po, po, një shkretëtirë në mal, aq e rëndë ishte situata. Një vargmal i tërë i gjunjëzuar përpara shpyllëzimit. Ky vargmal që mban edhe emrin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, një figurë stoike dhe hijerëndë, tashmë ishte dorëzuar kundrejt babëzisë për biznes.

Arlis Alikaj

Shënim i autorit: Ky shkrim përmban fragmentet e ditarit tim personal gjatë një udhëtimi investigativ në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë (zonë e mbrojtur nga UNESCO), ku dokumentova nga afër prerjen e paligjshme të pyjeve..

Related posts